Aplikimi i laparoskopise ne gjinekologji

Laparoskopia paraqet një formë të kirurgjisë invazive minimale ku me Laparoskop mundësohet shikimi i organeve të brendshme të organizmit dhe kryerja e një sërë operacioneve.

Të parët që kanë filluar aplikimin e Laparoskopisë (LSK) si metodë operative minimale invazive janë gjinekologët; disa decenie më parë e më vonë kjo formë e intervenimit kirurgjik ka gjetur aplikim edhe në lëmitë tjera të mjekësisë.

Laparoskopia paraqet, në të vërtet, një formë të kirurgjisë invazive minimale ku me futjen e të ashtuquajturit Laparoskop (një shkop me dritë dhe kamerë të vogël) mundësohet shikimi i organeve të brendshme të organizmit (LSK diagnostikuese) dhe kryerja e një sërë operacionesh (LSK operative) për të cilat më parë është dashtë të bëhet hapja e murit të barkut.


Si kryhet ky operacion?

Për t’u futur në hapësirën e brendshme të abdomenit, duhet që së pari me një gjilpërë speciale të shpohet muri i barkut. Si vend më i shpeshtë për këtë zgjedhet regjioni i kërthizës. Këtu bëhet një prerje prej 1 cm dhe përmes gjilpërës, e cila futet në pjesën e brendshme të abdomenit, injektohen 3-4 litra gaz (CO2). Kjo na mundëson që muri i përparmë i abdomenit të largohet nga zorrët dhe organet tjera në mënyrë që të mos vjen deri te lëndimi me rastin e futjes së një instrumenti (trokar) me diametër prej rreth 10-12 mm. Edhe ky hap sikurse edhe futje e gjilpërës më parë bëhet në formë qorre (pra, pa parë se ç`po ndodhë në abdomen. Përmes këtij trokari futet në brendi Laparoskopi me një minikamerë e cila na përcjelle pamjet origjinale (me ngjyra) në ekran. Prej këtij momenti, çdo veprim i mëtejmë kryhet në kontroll dhe rreziku i komplikimeve është më i vogël.

Së pari bëhet një "shëtitje" me kamerë në pjesën e sipërme të abdomenit ku shikohet se a është në rregull mëlçia, fshikëza biliare, lukthi, pjesë të shpretkës, zorrët, e pastaj sërish kthehemi në regjionin e komblikut, ku shikojmë gjendjen e mitrës dhe vezoreve. Për të vërejtur më mirë organet gjenitale femërore, pacientja vihet në pozitë me kokë teposhtë (lëvizet tavolina operative) si dhe bëjmë edhe 1-3 prerje të vogla (5mm) në regjionin e poshtëm të abdomenit. Këtu fusim trokaret prej 5 mm dhe përmes tyre mund të fusim instrumentet ndihmëse për të larguar zorrët dhe për të ekspozuar mitrën dhe vezoret.

Në rast se femra ka dhimbje të abdomenit dhe organet gjenitale të përmendura më lartë janë në rregull, marrim një strisho bakteriale dhe me këtë përfundon operacioni (LSK diagnostikuese- zgjat 10-15 min).

Në rastet kur konstatojmë ndonjë sëmundje në vezore, vepërçues apo mitër, mund të vazhdojmë me LSK operative.